
Një kameraman i Agjencisë Reuters është rrëzuar në tokë nga një polic, të shtunën në Paris, teksa po filmonte një protestë që po zhvillohej atje.
Video e incidentit u xhirua nga vetë kameramani, Clotaire Achi, i cili ka pësuar edhe disa lëndime për shkak të rrëzimit.
Teksa Achi po filmonte një grup protestuesish, në një moment grupi i policëve mësyn drejt tyre, duke marrë përpara edhe kameramanin. Ai u dëmtua në shpatull dhe krahun e djathtë; për këtë arsye mori edhe një javë raport nga mjeku.
I pyetur për të komentuar mbi incidentin, një përfaqësues i Policisë së Parisit tha se kushdo që ndihet viktimë e sjelljes së policisë mund të dorëzojë një ankesë zyrtare.
Ironikisht, protesta e së shtunës po mbahej pikërisht kundër asaj që një numër i madh njerëzish e konsiderojnë sjellje brutale të policisë, por edhe një ligji të ri që nëse miratohet, do ta bëjë më të vështirë për gazetarët që të fotografojnë apo filmojnë efektivët. (A2 Televizion)