Teksa numri i rasteve me Covid-19 në SHBA është rritur ndjeshëm dhe spitalet janë përballur me shtim të shtrimeve, një spital në Nevada ka hapur një “pavijon” Covid, në parkimin e godinës. Qendra Rajonale Mjekësore në Reno, e famshme për cilësinë e shërbimit mjekësor, ka kuruar brenda gati një muaji, më shumë se 200 pacientë aty.
Sigurisht, metoda nuk është optimale dhe mjekët që punojnë aty e pranojnë. “Nuk e kisha menduar kurrë se do të kujdeseshim për qenie njerëzore aty”, tha për CNN, dr. Jacob Keeperman.
Kur Keeperman postoi në Twitter një foto nga parkimi muajin e kaluar, presidenti Donald Trump e shpërndau postimin duke e quajtur të rremë, sikurse edhe zgjedhjet në Nevada. Por, më 1 dhjetor, guvernatori i shtetit, Steve Sisolak, e quajti retorikë të rrezikshme sjelljen e presidentit.
Sipas të dhënave zyrtare, shtrimet në Nevada po rriten me ritme të shpejta që prej muajit tetor, ndërsa numri i rasteve pozitive vijon të rritet prej shtatorit, duke kapur pikun në dhjetor. (A2 Televizion)