
Pas fundosjes në Detin e Zi, ka ardhur dhe funerali. Nuk bëhet fjalë për përcjelljen në banesën e fundit të ndonjë personi, por për lamtumirën ndaj luftanijes simbol të flotës detare ruse, “Moskva” të goditur nga ushtria ukrainase. Dhjetëra persona u mblodhën në ceremoninë përkujtimore të zhvilluar në Sevastopol dhe atë që ndodhi po e konsiderojnë një tragjedi.
“Edhe për ata që nuk ishin në të, Moskva ishte një simbol për të gjithë, një simbol i fuqisë tonë, shpresës sonë, ringjalljes së flotës në vitet '90. Është simbol i arritjeve inxhinierike dhe shkencore, forcë e armëve tona”, tha Sergei Gorbachev, kapiten rezervë.
“Humbja e çdo anijeje, veçanërisht e një kryqëzori, është një tragjedi për të gjithë ata dhjetëra mijëra njerëz që shërbyen atje për më shumë se 20 vjet. Si për oficerët ashtu edhe për marinarët”, tha Georgiy Ployakov, prift.
Ukraina thotë se goditi anijen ruse me dy nga raketat e saj nënujore, duke bërë që ajo të kaplohet nga flakët, e më pas të fundoset. Kievi zyrtar pretendon se në këtë ngjarje humbën jetën qindra trupa të Moskës. Ministria ruse e Mbrojtjes ka konfirmuar vdekjen e kapitenit të kryqëzorit “Moskva”, Anton Kuprin.
Si kundërpërgjigje, ushtria e Moskës intensifikoi sulmet ajrore në territorin e Ukrainës, duke shënjestruar Kievin, Kharkivin dhe qytetin Kherson. Rusia tha se kishte goditur një fabrikë të prodhimit të raketave antiajrore dhe detare në periferi të kryeqytetit, dhe kërcënoi se sulmet do të intensifikoheshin nëse Ukraina do të vijonte të qëllonte shënjestra në territoret kufitare ruse. Nga kjo hakmarrje nuk ka shpëtuar as Mariupoli i shkatërruar. Zëdhënësi i ministrisë së mbrojtjes të Ukrainës, Oleksandr Motuzyanyk tha se për herë të parë që nga fillimi i luftës, Rusia përdori bombardues me rreze të gjatë për të sulmuar qytetin port. Ai nënvizoi se betejat në rrugë po vazhdonin në Mariupolin e rrethuar, të cilin forcat ruse nuk kishin arritur ta pushtonin plotësisht. Luftime aktive po zhvillohen rreth fabrikës së çelikut dhe hekurit dhe në zonën e portit. (A2 Televizion)