
Arben Ristani, ish-sekretar i përgjithshëm në PD, ishte i ftuar mbrëmjen e së martës në “Absolut 4” nga ku u shpreh se fushata e kandidatëve për kryetar të PD në zgjedhjet e 13 qershorit ka nisur në mënyrë të padrejtë nga Lulzim Basha.
Ai theksoi se takimi i sotëm i Beratit i Lulzim Bashës nuk ishte i pari, pasi sipas Ristanit, kreu aktual i PD shfrytëzoi për fushatë disa takime pas zgjedhjeve të 25 prillit.
“PD ka dalë me një humbje të thellë në zgjedhje dhe është një moment rimarrje forcash. Ai i Beratit nuk është takimi i parë i Bashës. Ai ka nisur si gjithmonë me hile edhe këtë garë, duke deklaruar se do të nisë një tur faktmbledhës për zgjedhjet, por bëri disa takime në disa qytete, të cilat ishin takime në funksion të garës për kryetar, duke marrë një avantazh të padrejtë ndaj kandidatëve të tjerë”, u shpreh Ristani.
Më tej, ai i theksoi se gara në PD është e disbalancuar, pasi Basha tërheq drejt vetes favore.
“Mund t’iu them se është një garë e disbalancuar, ku Basha tërheq drejt vetes favore. Ai largoi nga gara në mënyrë të padrejtë zotin Elezi. Arsyetimi ishte i padrejtë. Nuk iu dha kandidatëve të lenë listën e votuesve. Imagjinoni një parti të hyjë në garë pa pasur listën e votuesve. Edhe të tjerët, po ashtu si Basha, duhet ta kenë këtë listë. Mbi 200 persona në qendrat e votimit do ta marrin këtë listë, ndërsa kandidatët jo”, u shpreh Ristani. (A2 Televizion)