Gafat dhe mosha, Obama këshilloi Biden: Mos kandido, je jashtë realitetit

Nga A2 CNN
17 Gusht 2019, 16:36 | Bota
Gafat dhe mosha, Obama këshilloi Biden: Mos kandido, je jashtë

Joe Biden është munduar që prej nisjes së fushatës elektorale që ta rendisë figurën e tij pranë asaj të Barack Obama, me të cilin ka ndarë për 8 vite Shtëpinë e Bardhë. Por pikërisht nga ish-Presidenti amerikan vjen një goditje e ashpër, që mund të pengojë kandidaturën e tij edhe pse aktualisht është favoriti për të fituar nominimin brenda Partisë Demokrate për presidencialet amerikane të 2020.

Sipas asaj që raporton “New York Times”, pavarësisht vlerësimit të lartë në publik, Obama ka bërë gjithçka për të bindur Biden që të mos hyjë në garë. Të paktën në 6 takime, Obama i ka shprehur të gjitha shqetësimet e tij: Nga mosha e madhe e Biden, i cili është 76 vjeç dhe nëse zgjidhet do të ishte presidenti më i moshuar i Shteteve të Bashkuara, e deri tek përdorimi i termit “je jashtë realitetit politik dhe social aktual”.

Të gjitha këto shqetësime erdhën si shkak i gafave të rënda të ish zëvendëspresidentit gjatë javëve të fundit: Fillimisht mbështeti bashkëpunimin me disa ligjvënës të Kongresit të cilët kishin marrë vendime diskriminuese, dhe më pas deklaroi se fëmijët e varfër janë inteligjentë njësoj si fëmijët e bardhë, duke reflektuar një mentalitet jo në linjë me brezat e rinj që e akuzojnë për racizëm.

“Nuk duhet ta bësh Joe”, i kishte thënë Obama duke e këshilluar Biden sipas disa burimeve të cituara nga “New York Times”. Por ish zëvendës presidenti i është përgjigjur duke i bërë rezistencës. Sipas raportimeve Biden i ka përsëritur shumë herë Obamës se është i vetmi që mund të mposhtë presidentin Donald Trump në 2020 dhe për asgjë në botë nuk do ta humbasë këtë rast.

Ky fërkim mes tyre arsyeton edhe sjelljen e Obamës, i cili ende nuk ka shprehur mbështetje për kandidaturën e Biden. Ndërkohë, sondazhet e fundit shfaqin ish zëvendëspresidentin amerikan fitues në kampin demokrat dhe është në avantazh ndaj Kreut të Shtëpisë së Bardhë me disa pikë.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos