Kandidati i koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë”, Miftar Dauti ka ndaluar furgonin e djalit të rivalit të tij Halit Muja, i cili sipas Dautit është i mbushur me ndihma që do t'u shpërndaheshin familjeve në Has, në këmbim të votave.
Ai është shprehur se ka filmuar dy djemtë e kandidatit socialist teksa mbushnin furgonin me pako, të cilat sipas tij, do të shpërndaheshin në këmbim të votave.
“E kemi bllokuar automjetin sepse ka pako të dyshimta. Ky është automjeti i djalit të kandidatit të PS, Halit Muja. Këto janë pako të dyshimta, mund të ketë edhe lekë që do të shpërndaheshin në këmbim të votave. Ne do t’i mbrojmë votat e votuesve hasian. Në momentin që kam konstatuar mjetin i kam bërë edhe video. Dy djemtë e kandidatit për kryetar bashkie po mbushnin furgonin me pako. Ata tentuan të largohen, por ne me njerëzit tanë nuk e lejuam të largohej.
Kanë ardhur oficerët e policisë, donin të merrnin furgonin në polici, por ne nuk e lejuam”, shprehet kandidati për kryetar të bashkisë së Hasit, Miftar Dauti.
Deri tani nuk ka pasur asnjë reagim nga ana e kandidatit socialist në këtë bashki në lidhje me këto akuza të ngritura. (A2 Televizion)





