Gega prezantohet te Skënderbeu: Besoj te mbijetesa, kemi potencial

Nga A2 CNN
10 Mars 2022, 16:30 | Futboll
Gega prezantohet te Skënderbeu: Besoj te mbijetesa, kemi potencial

Vetëm pak orë pas marrëveshjes, Skënderbeu prezantoi Skënder Gegën në stol. Trajneri rikthehet në kampionatin shqiptar për herë të parë pas vitit 2019, kur u shpall kampion me Partizanin.

“Nuk është e thënë të jesh vetëm tek ekipet e vendeve të para. E kam për nder dhe ndihem i respektuar që do të jem në krye të ekipit të një qyteti si Korça. Jam optimist, ekipi është i mirë”, tha Gega në konferencën e prezantimit.

Trajneri nuk e fsheh besimin se skuadra ka potencial për të shpresuar te mbijetesa dhe sfida nis prej kësaj të diele: “Kam qenë suport për Memellin, ka bërë punë të mirë. Fati i ka munguar. Skënderbeu ka potencial për të dhënë më tepër, sepse janë djem të rinj. Lojtarët të kenë këmbët, mendjen dhe zemrën. Asgjë nuk u mungon”.

Skënderbeu mbyll renditjen e kampionatit me 17 pikë pas 24 javëve, 6 pikë më pak se Dinamo e zonës play-out. Kundërshtari i radhës është Laçi i vendit të dytë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos