Gent Cakaj në A2. Samiti i Zagrebit, integrimi dhe Kosova

Nga A2 CNN
7 Maj 2020, 22:32 | Politikë
Gent Cakaj në A2. Samiti i Zagrebit, integrimi dhe Kosova

Në një intervistë për A2, ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj, thotë se mospërmendja e zgjerimit në deklaratën e Samitit të Zagrebit nuk do të thotë anashkalim i këtij procesi. Cakaj thotë se ende nuk ka një datë se kur mund të zhvillohet konferenca e parë ndërqeveritare BE- Shqipëri. 

Zgjerimi nuk figuronte në deklaratën finale të Samitit të Zagrebit, por ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj, është i bindur se integrimi i Ballkanit Perëndimor vazhdon të jetë në fokusin e Unionit. Atëherë, a kemi një datë për tryezën e parë ndërqeveritare BE-Shqipëri?  

“Nuk mund të flas me data specifike, për shkak se, e para jemi në një situatë me shumë të panjohura për shkak të pandemisë, dhe në rastin e Shqipërisë, shumçka varet edhe nga dinamika e zbatimit të reformave”, tha Cakaj.

Parashikimet për uljen në tryezën negociuese nuk duket të jenë të afërta, për sa kohë Tirana nuk ka akoma gati ekipin e saj negociues.

Në intervistën për A2, Cakaj flet edhe për krizën në Kosovë, duke i kthyer përgjigje kritikave që vijnë nga Prishtina për heshtje të Tiranës zyrtare: “Unë kam prirje që këtë ta shikoj si pjesë të maturisë politike, pasi nuk jemi ne që duhet të diskutojmë mbi pozicionet e partive politike në Kosovë”.

Gent Cakaj nuk mendon se pas krizës politike në Kosovë fshihet një plan i amerikanëve për ndryshim kufijsh mes Kosovës dhe Serbisë, ndaj dhe kërkon më shumë besim te partnerët strategjikë të shqiptarëve.

A mund të luajë një rol Shqipëria në këtë proces? Përtej qasjes konstruktive, Cakaj shpjegon se Tirana nuk mund të jetë pjesë e negociatave.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos