
“Ashtu si fëmijët tanë vijojnë shkollën online edhe politikanët tanë duhet të kishin punuar online për të përmbushur një nga kushtet kryesore që është reforma zgjedhore. Drejtësia do të duhet të ishte treguar më e kujdesshme dhe të kishte vazhduar me të gjitha çështjet kryesore që janë kusht për Shqipërinë, do të duhet të kishim vazhduar me ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë. Duket sikur pandemia i ka mundësuar politikës shqiptare për të lënë disa prioritete pas dore, ndoshta edhe mund t’i ketë leverdisur, por kjo nuk është në interes të shqiptarëve”, u shpreh Klajda Gjosha, ish-ministre e Integrimit”.
Kështu u shpreh në A2, Klajda Gjosha, ish-ministre e Integrimit, teksa foli për zhvillimet në Samitin e Zagrebit.
“Nëse Shqipëria do të kishte plotësuar disa nga kushtet, të jeni të bindur se vendet anëtare janë shumë të kujdesshme për të miratuar ato që ata kanë shkruar vetë apo çfarë kanë dakordësuar në muajin mars. Nëse ne do të kishim shkuar me një reformë zgjedhore, unë jam e bindur se do të ishte përmendur në këtë samit, pavarësisht problemeve që ka ngritur pandemia. Në momentin që Shqipëria nuk ka asnjë rezultat, nuk e di çfarë mund të prisnim ne nga vendet anëtare”.
“Janë dy këndvështrime nga takimi i djeshëm. I pari që BE-ja vazhdon ta mbështesë Shqipërinë dhe tashmë mbështetja nuk do të jetë vetëm në kuadër të reformave, por edhe financiarisht, pasi vendet tona janë goditur nga pandemia. Këndvështrimi i dytë është ai i procesit të zgjerimit, i cili patjetër ra në sy dhe është ajo që gjithsecili prej nesh priste të dëgjonte, aq më tepër pas muajit mars, ku Shqipëria mori një “po” me rezerva, një “po” politike”. (A2 Televizion)