Pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve, presidenti Ilir Meta duhet të marrë në konsideratë heqjen dorë nga posti i presidentit. Këtë qëndrim ndanë në studion e A2 CNN analistët Gjergji Vurmo dhe Edlira Gjoni. Sipas tyre, detyra e presidentit kërkon që të jesh mbi palët dhe presidenti duhet të ndajë nëse do të jetë president i të gjithëve, apo kreu i opozitës. Sipas Vurmos, deklarata e ashpër ndaj ambasadores amerikane, Yuri Kim, shkoi në limitet e një incidenti diplomatik.
“Është lajm i mirë që pas gati një viti, Meta është aktiv në skenën politike përtej kostumit të presidentit. Është lajm i mirë që është kthyer në normalitet. Nuk jam i bindur nëse do qëndrojë në të njëjtin kostum, por shpërthimi i së premtes shkoi në limitet e një incidenti diplomatik dhe në atë institucion ai nuk flet si Meta i zgjedhur nga LSI, por si përfaqësues i unitetit të popullit dhe kreu i shtetit që nuk i lejohen shpërthime të tilla. Presidenti duhet ta konsiderojë heqjen dorë nga presidenca, pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve, nëse kemi apo jo rrotacion ai duhet ta konsiderojë qëndrimin e tij në karrigen e presidentit”, shprehet Vurmo.
Edhe Edlira Gjoni ndan të njëjtin qëndrim sa i takon kreut të shtetit. Sipas saj, presidenti Meta nuk ka mbajtur një qëndrim konsistent dhe deklaratat e tij e kanë çuar votuesin drejt një krahu politik.
“Nëse nuk e kryen dot një detyrë që kërkon të jesh mbi palët ai duhet të ndajë mendjen nëse do të jetë kreu i opozitës apo president i të gjithëve. Meta nuk mbajti një qëndrim konsistent. Deklarata e tij ka çuar frymën e votuesit drejt një krahu politik. Para dy netësh kishte një lloj gjuhe ndaj ambasadores amerikane. Ndryshimi i gjuhës së Metës është mungesë konsistente në qëndrime që prish balancën dhe te mbështetësit e forcës politike nga ka dalë presidenti. Unë jam me qëndrimin e sotëm të presidentit”. (A2 Televizion)