Stuhitë e erës, Porja: Pjesë e ciklonit mesdhetar, pritet normalizim

Nga A2 CNN
6 Janar 2020, 19:49 | Aktualitet
Stuhitë e erës, Porja: Pjesë e ciklonit mesdhetar, pritet

Stuhitë e forta të erës që kanë përfshirë vendin duke shkaktuar incidente dhe të plagosur janë të zakonshme për stinën e dimrit. Meteorologia e A2, Tanja Porja, shpjegon se era e fortë është ndikuar nga prezenca e një stuhie ciklonare që ka përfshirë pellgun e Mesdheut, duke sjellë edhe një ulje të ndjeshme të temperaturave.

“Stuhi të tilla të erës janë tipike të stinës së dimrit, aq më tepër që presim një rënie të theksuar të vlerave termike dhe pikërisht rënia e temperaturave në një periudhë kaq të shkurtër kohore, sjell dhe këtë forcim të erës. Gjatë muajve janar-shkurt, kur presim një qarkullim të shpeshtë të masave ajrore nga verilindja në territorin shqiptar, stuhi të tilla të erës janë të zakonshme”, u shpreh meteorologia Porja.

Por, me çfarë shpejtësie era bëhet problematike?

“Shpejtësia e erës ka arritur rreth 90 km/h dhe kur arrin shpejtësi të tilla në det të hapur dhe zonën bregdetare është shumë problematike, jo vetëm për trafikun detar, por edhe për zonat më në brendësi të territorit” shtoi meteorologia e A2.

Porja deklaron se në ditët në vijim do të ketë një normalizim të situatës, ndërsa shton se temperaturat e ulëta do të na shoqërojnë gjatë gjithë muajit Janar. Sipas saj, anomalia qëndron në mungesën e reshjeve të shiut, të cilat nuk do të jenë prezente në pjesën e parë të këtij muaji. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos