Hapja e kutive nxjerr zbuluar komisionerët e partive

Nga A2 CNN
17 Maj 2021, 16:28 | Politikë
Hapja e kutive nxjerr zbuluar komisionerët e partive

24 kuti të Qarkut të Beratit nxorën në pah disa parregullsi në procesin zgjedhor. Krahas hetimit të kutive me materialet zgjedhore, KQZ ka konstatuar 57 raste të votimit të dyfishtë apo për persona të tretë.

Provat e paraqitura nga LSI bindën 5 anëtarët e KAS-it që të hapin 24 kuti votimi të Qarkut të Beratit. KQZ u kthye në një qendër numërimi, ku gjashtë grupe bënë verifikimin e materialeve zgjedhore. 

Materialet zgjedhore të 8 kutive treguan se kishte më shumë fletë sesa numri i kuponëve që kishte nxjerrë pajisja e identifikimit elektronik, me një total prej 48 fletësh.

Ndërsa në tre kuti të tjera, rezultuan se kishte nga një fletë më pak të numëruar.

Altin Kaziaj tha: “Duke qenë se këto qendra votimi ndikojnë në mandatin e parë të LSI-së në atë qark, i cili është humbur për vetëm 77 vota, dhe ky është një element shumë i rëndësishëm, kërkojmë të përsëriten zgjedhjet”.

Pavarësisht parregullsive të zbuluara, sërish numri i fletëve mbetet më i vogël sesa pretendimi i LSI-së për 77 vota të parregullta që kanë ndikuar që kjo parti të mos marrë mandatin në zonën dikur bastion i saj. 

Ky numër arrihet nëse KAS do të marrë si provë kryqëzimin e të dhënave të pajisjes së identifikimit elektronik, e cila në Qarkun e Beratit ka konstatuar 57 raste të dyshimta si votim të dyfishtë apo votim për persona të tretë. 

Fjalën e fundit për parregullsitë do ta japë Komisioni i Ankimeve dhe Sanksioneve, i cili ditën e mërkurë do të administrojë të dhënat e kutive të hapura nga ku mund të marrë dy vendime, ose rinumërimin e plotë të votave për këtë zonë zgjedhore, ose rrëzimin e kërkesave ankimore.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos