
Nëse dëgjoni që shumë njerëz ankohen për punët që bëjnë dhe sakrificat për të siguruar të ardhurat, duhet të shikoni edhe punën dhe sakrificën që bëjnë gratë e pastrimit të qytetit të Pogradecit, që jo vetëm sfidojnë errësirën, por edhe temperaturat mjaft të ulëta të këtyre ditëve.
Dhe nuk është një punë që kanë pak kohë që e bëjnë. Por, mund të themi me plot gojën që kanë një jetë të tërë. Në këto ditë dimri, dëbora dhe akulli janë sfidat e radhës për këto gra.
Sakrificën që bëjnë, më shumë se familja e tyre, askush nuk ia di, edhe pse ka raste kur edhe qytetarët i falenderojnë për punën që bëjnë. Një pjesë e mirë e këtyre grave, presin që edhe për pak vite të dalin në pension. E ndërsa sakrifica e tyre do t’u sigurojë një pension, ajo që mbetet shqetësuese është fakti se si shumë profesione të tjerë, edhe ky po rrezikon që një ditë të mos ketë më njeri kush ta bëjë.
E ndërsa grupi i xhirimit i gjen dhe i lë në punë, edhe natën e radhës dhe shumë të tjera në dimër e në verë, keto gra do të jenë sërish në rrugë, e përveç pagës, të cilën e meritojnë shumë më të lartë nga sa marrin, kanë nevojë edhe për mirënjohjen e qytetarëve. (A2 Televizion)