Hetimet për ish-drejtorin e TVSH, SPAK kërkon informacione për tendera të tjerë

Nga A2 CNN
13 Dhjetor 2021, 11:09 | Aktualitet
Hetimet për ish-drejtorin e TVSH, SPAK kërkon informacione për

Në seancën për informacion 2-mujor për veprimet e kryera në kuadër të hetimit për ish-drejtorin e TVSH, Thoma Gëllçi, të akuzuar për “shpërdorim detyre”, SPAK thotë se ka kërkuar informacion për tendera të tjerë të zhvilluar gjatë viteve të fundit, por pa dhënë informacion nëse janë zbuluar fakte penale.

Seanca e së hënës u shty për nesër ku do të paraqitet mbrojtja.

Abuzimi me një tender të vitit 2018 në Radio Televizionin Shqiptar është strumbullari i arrestimit nga SPAK të ish-titullarit të institucionit, Thoma Gëllçi dhe tre anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Julian Tapia, Alban Malaveci dhe Ervin Muraj. Të arrestuarit dyshohen se kanë shkelur ligjin, kur në garën me dy kompanive kanë skualifikuar njërën dhe shpallur fituese tjetrën, në një kohë që sipas dokumentacionit, asnjëra prej tyre nuk duhet të kualifikohej. Sipas të dhënave nga SPAK, ish-drejtori Thoma Gëllçi dyshohet se ka nisur procedurën e tenderit për blerjen e pajisjeve për kanalin e ri “RTSH AGRO” në një kohë që as bordi dhe as AMA nuk e kishin miratuar këtë kanal. Tenderi me fond limit gati 87 milionë lekë për blerjen e kamerave dhe pajisjeve teknike është zhvilluar në tetor-nëntor 2018. Pajisjet janë blerë dhe përdorur nga kanalet e tjera, ndërsa sinjali i kanalit “Agro” është shfaqur në paketën e RTSH 3 vjet me vonë, në prill 2021.

Nga hetimi rezulton se në garë për tenderin me fond limit gati 87 milionë lekë të rinj ishte kompania “Eurokontakt” dhe “TBS 96”. Ndonëse Eurokontakt ka pasur ofertë me 20 milionë lekë më pak, fituese është shpallur kompania tjetër, e cila po ashtu nuk i përmbushte kriteret.

Po sipas hetimit të SPAK, Gëllçi dyshohet të ketë shpërdoruar detyrën edhe në një moment të dytë, kur ka firmosur një kontratë shtesë për zgjatje afati të dorëzimit të mallrave të blera përmes tenderit. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2021/10/09/korrupsion-me-tenderat-detaje-te-reja-nga-arrestimi-i-ish-dretorit-te-rtsh-se-thoma-gellci/

A2 CNN Livestream

Latest Videos