Hetimet për maskat, SPAK: Izolimi na pengon të pyesim të paditurit

Nga A2 CNN
8 Prill 2020, 15:52 | Kronikë
Hetimet për maskat, SPAK: Izolimi na pengon të pyesim të

Prej mëse 3 ditësh, Prokuroria e Posaçme ka nisur të mbledhë të gjithë dokumentacionin mbi praktikën që Ministria e Shëndetësisë ka përdorur për shpërndarjen e maskave pranë stafit të mjekëve. Kallëzimi penal i mbërritur nga Partia Demokratike, është regjistruar si procedim penal nga SPAK dhe po hetohet mbi pretendimet që ngre PD, për shpërndarjen e maskave të skaduara, pranë  stafit mjekësor.

Vërtet hetimi ka nisur, por prokurorët thanë se duke nisur nga situata e izolimit, ata e kanë të pamundur të marrin në pyetje personat e denoncuar në kallëzimin e PD-së, si përgjegjës. Duke qenë se ky është një hetim dokumentar, ata kanë nisur administrimin e praktikave dhe veprimeve të kryera nga drejtues të ministrisë, për momentin.

Në një fazë të dytë do të vendosin se kush do thirret dhe kush do të pyetet. Këto janë çështje me shumë veprime hetimore dhe sipas prokurorëve kërkojnë kohë në kushte normale, aq më shumë në këtë periudhë.

Debati për maskat ishte i pari që nga shpërthimi i pandemisë që përplasi kreun e opozitës dhe kryeministrin. Lulzim Basha deklaroi se stafi mjekësor po vihej në rrezik nga maska të skaduara në vitin 2011. Kryeministri e pranoi skadencën, por ai tha se maskat janë të rrezikshme vetëm nëse përdoren në sallat e operacionit.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos