
Delegacioni i Kosovës, gjatë qëndrimit në Uashington, do të zhvillojë një takim me sekretarin amerikan të shtetit, Mike Pompeo. Njoftimi erdhi nga vetë kryeministri, Avdullah Hoti, i cili shtoi se do të takohet edhe me përfaqësues të komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara.
“Në Shtëpinë e Bardhë janë marrë gjithmonë vendime strategjike që kanë çuar në liri, pavarësi dhe integrim euro-atlantik të shtetit të Kosovës. Nuk do të jetë ndryshe edhe këtë herë”, shkruan Hoti në një postim në rrjetin social Facebook.
Gjithashtu shton se qeveria e tij do të prezantojë projekte të mëdha infrastrukturore dhe energjetike që mundësojnë krijimin e vendeve të punës dhe integrim më të mirë të Kosovës në tregun rajonal e evropian.
Ndërkohë, gjatë qëndrimit në Uashington, delegacioni i Kosovës, i kryesuar nga Hoti, do të takohet me atë të Serbisë, të udhëhequr nga presidenti, Aleksandër Vuçiç. (A2 Televizion)