
Rëndohet më tej bilanci i aksidentit të ndodhur pasditen e së enjtes te rreth-rrotullimi i TEG-ut. Policia bën të ditur se edhe shoferi i automjetit tip “Audi”, 20-vjeçari Klevis Ruçaj ka ndërruar jetë.
I riu ndodhej në terapi intensive në spitalin e Traumës në kryeqytet por nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra nga përplasja.
Kështu, numri i viktimave nga ky aksident i rëndë shkon në tre pasi më herët kanë humbur jetën edhe dy vajza të cilat nuk janë identifikuar ende.
Kurse, tre të lënduarit e tjerë janë jashtë rrezikut për jetën.
DINAMIKA E AKSIDENTIT
Sipas të dhënave paraprake dyshohet se automjeti tip “Audi” me drejtues 20-vjeçarin, Klevis Ruçaj ka qenë duke udhëtuar në unazën lindore me drejtim lëvizjeje nga Farka për tek rrethrrotullimi pranë TEG-ut. Dhe, pasi ka humbur kontrollin, duke thyer barrierat rrethuese te mbikalimit, ka përfunduar në autostradën Tiranë-Elbasan, duke aksidentuar automjetin tjetër tip “Hyndai”, me drejtues Qemal Kurtin, rreth 60 vjeç. (A2 Televizion)