
“Partia në pushtet humbi për shkak të politikave të këqija dhe premtimeve të pambajtura”. Kështu shprehen qytetarët në Maqedoninë e Veriut, që theksojnë se janë të pakënaqur me punën e qeverisë deri më tani.
“Mendoj se Zaev humbi kryesisht nga politikat e këqija, si të brendshme ashtu dhe të jashtme”, thotë një banore e Shkupit.
“Përpara raundit të dytë të zgjedhjeve lokale, Zoran Zaev tha se do të dorëhiqej nëse humbiste dhe mendoj që ishte një faktor stimulus për votuesit, që nuk ishin të kënaqur me qeverinë që të dilnin dhe të votonin. Mendoj se nuk kishte opsione të tjera përveçse të përmbushte atë që premtoi para raundit të dytë të zgjedhjeve”, shprehet një tjetër banor.
Ndërsa analistja Ana Petruseva thekson: “Rezultati i zgjedhjeve është pjesërisht si pasojë e premtimeve të pambajtura nga Zaev dhe socialdemokratët, por kryesisht nga fakti që BE po vononte të përmbushte premtimin për nisjen e negociatave të anëtarësimit”. (A2 Televizion)