
Nënkryetarja e Kuvendit, Vasilika Hysi, deklaroi në studion e “Ditari” në A2 CNN se Partia Socialiste po zbaton afatet e Kodit Zgjedhor sa i përket shpalljes së listës së kandidatëve për deputetë, por të gjitha strukturat janë në organizim. Sipas saj, Partia Socialiste i ka të gjitha kapacitetet për të përfaqësuar denjësisht çdo zonë zgjedhore.
“PS është në proces organizimi me struktura dhe ne si deputetë të PS-së po punojmë shumë seriozisht. Po zbatojmë afatet e kodit zgjedhor për shpalljen e listës së kandidatëve për deputetë, por brenda partive ka një proces, ku të gjitha strukturat janë në organizim dhe si PS ne kemi bërë thirrje publike ku ftuam shumë kandidatë dhe kandidate për të shprehur interes në Kuvendin e Shqipërisë dhe një grup të rinjsh e të rejash kanë filluar trajnimin për të qenë deputetë, dhe ky është një angazhim i PS-së për trajnimin e politikanëve të rinj. PS ka kapacitete, është parti e hapur dhe ka mundësi që në çdo zonë zgjedhore do të ketë përfaqësues të denjë”.
Hysi theksoi se Partia Socialiste kërkon një mandat të tretë për të përfunduar reformat e nisura afatgjata, ndërsa vlerëson se është bërë një punë e jashtëzakonshme në këtë aspekt, duke shtuar se janë kapërcyer barriera dhe interesat e elektoratit të majtë.
“Në këtë mandat të dytë është bërë një punë e jashtëzakonshme dhe kemi çfarë të flasim me qytetarët dhe për çfarë është bërë. Kemi kurajon t’u themi që reformat e premtuara i kemi bërë dhe këto reforma janë në proces zhvillimi. Janë reforma që kërkojnë afat të gjatë dhe kjo është arsyeja për të vijuar me reformat e nisura. Por, po të mos ishte PS-ja disa nga këto reforma nuk do të bëheshin. Ka reforma që kërkojnë guxim, vizion të kapërcejnë disa barriera dhe interesat e elektoratit. Disa mund të mos i kenë ardhur për shtat mbështetësve tanë të majtë, por janë të rëndësishme për të ardhmen e fëmijëve tanë”.
Gjatë bisedës, Hysi vlerësoi edhe punën e bërë në këto vite nga gratë deputete, veçanërisht ato të mazhorancës. (A2 Televizion)