
Në “I Ftuari” në A2 CNN ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj foli edhe për luftën ndaj kanabisit në vend. Ai u shpreh se kyçi i suksesit për të ardhur në rezultatet e prezantuara në aktiviteti “Për një Shqipëri pa kanabis” ishte viti 2017-të kur ndryshoi strategjia.
“Ndryshimi për strategjinë në 2017 ishte kyç. Ne e goditëm në embrion dhe kjo ndodhi në vazhdim duke u kthyer në çështje të të gjithë institucioneve”, tha Lleshaj.
Ministri tha më tej, duke iu referuar edhe shifrave të prezantuara në aktivitet se problemi ka qenë nga ministri Tahiri e para tij. Ai theksoi se për eliminimin e kanabisit nga Lazarati merita i takon pikërisht Tahirit. “Problemi me kanabisin ka qenë nga Tahiri e ministrat para tij. Në prezantimin e palës italiane, para vitin 2014, shifrat nuk mund të krahasohen pasi mungon Lazarati, pjesa kryesore. Nuk dua t’u njoh shumë merita ministrave, pasi këto i mban Policia e Shtetit dhe pastaj kanë meritë ata”, tha Lleshaj. (A2 Televizion)