
Gjykata e Posaçme ka sekuestruar dy pasuri të ish-gjyqtarit të Lartë të shkarkuar nga vetingu, Admir Thanza. Ish-anëtari i Gjykatës së Lartë po hetohet nga SPAK për "deklarim të rreme e fshehje të pasurisë".
Së fundmi gjykata ka pranuar kërkesën e SPAK për sekuestrimin e një garazhi 24.4m2 në pronësi të tij dhe të një apartamenti 70 m2 në zonën e “Komunës së Parisit” në Tiranë.
“Ngrirja” e këtyre pasurive është bërë pas dyshimeve se ato nuk justifikohen në burime të ligjshme. Gjatë procesit të vetingut ndaj Thanzës, në qershor 2018, rezultoi se ai kishte fshehur një dënim me 40 ditë burg të marrë në Itali për akuzën e “vjedhjes”.
Pas shkarkimit ai u dërgua si i pandehur në Gjykatën e Tiranës për “falsifikim të dokumenteve” ku u shpall fajtor dhe dënua me 9 muaj burg, dënim që u konvertua në 18 muaj Shërbim Prove. Thanza është i katërti në radhën e ish-anëtarëve të Kushtetues dhe Gjykatës së Lartë, që i sekuestrohen pasuri pas shkarkimit nga vetingu.
Më herët GJKKO ka vënë në sekuestro pasuri të ish-gjyqtarëve Kushtetues, Bashkim Dedja e Fatos Lulo, si edhe ish-anëtarit të Gjykatës së Lartë, Shkëlzen Selimi.
Prej disa muajsh SPAK ka nën hetim 10 ish-anëtarë të Kushtetueses dhe Gjykatës së Lartë të shkarkuar nga vetingu, që dyshohet se kanë pasuri të pajustifikuara. (A2 Televizion)