
Edison Begaj i shpëtoi një atentati më 29 maj edhe pse u qëllua me 9 plumba, ndërsa ditët e fundit u arrestua pas operacioneve të policisë në Vlorë, për armëmbajtje pa leje.
Djali i xhaxhait të Edison Begajt ka folur për A2, duke akuzuar policinë se ka qenë tendencioze. “Gjithçka tendencioze. Policia nuk e mbrojti dot, u plagos me 9 plumba në sy të fëmijëve. Armen e kishte për vetëmbrojtje. Nëndrejtori erdhi te biznesi dhe bëri me shenjë për të arrestuar Edisonin. Edisoni nuk ka bërë krim, po mbronte jetën e tij, ndërkohë që atentatori i tij endet i lirë. Atentatori ishte veshur si polic, u gjet veshja, u gjet makina, u gjet arma, por jo autori. Edisoni ka lënë dy fëmijët e mitur rrugëve”, u shpreh Mikel Begaj.
Më 29 maj, ndaj Edison Begaj u bë atentat në hyrje të shtëpisë së tij në Kaninë, ku prezent ishin edhe dy fëmijë të mitur 7 dhe 6 vjeç. Në atentat, Begaj u plagos me 9 plumba. Ndërsa pas ngjarjes, policia sekuestroi pamjet, u gjet makina e atentatorëve dhe veshja e atentatorit. Atentatori ishte i veshur si polic, dhe ishte pa maskë. Policia ende nuk e ka ndaluar dhe sipas bluve ai nuk është identifikuar ende.
Megjithatë, arrestimi me bujë i Edison Begqj, në mes të shëtitores Lungonare, në ambientet e lokalit të tij, ka sjellë reagimin e familjarëve të Begaj, të cilët akuzojnë policinë se ka pasur direktiva dhe tendenca për të arrestuar Begajn. (A2 Televizion)