IKMT tërhiqet nga shembja e hotelit në Dhërmi, shkak sezoni turistik. Largohet edhe Policia e Shtetit

Nga A2 CNN
18 Maj 2023, 10:34 | Aktualitet
IKMT tërhiqet nga shembja e hotelit në Dhërmi, shkak sezoni

Një ditë pasi mbërriti në Dhërmi për prishjen e një hoteli, në pronësi të Fjorentin Belit, i cili sipas deklaratave të banorëve, ishte numërues në kutinë e fundit të fshatit Kudhes, që i dha fitoren Fredi Belerit në Himarë, IKMT dhe Policia e Shtetit janë tërhequr nga aksioni.

Sipas informacioneve, ky vendim ka ardhur për faktin se sezoni turistik është shumë afër. Mësohet se ankesa në lidhje me aksionin e IKMT-së ka pasur edhe nga pronarët e objekteve të tjera, ndërsa pritet që aksioni të kryhet pas përfundimit të sezonit.

Në deklaratat e dhëna për mediat, banorët thonë se operacioni i ndërmarrë nga Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, është i motivuar politikisht. Prindërit e Belit, e ëma dhe i ati, thanë ditën e djeshme për mediat se djali i tyre nuk ka asnjë faj, ndërsa i bënë thirrje kryeministrit Edi Rama që të tërhiqet.

“Dha urdhër ai. Pse çfarë i bënë? Se vajti djali im në komision? As i shau, as i ofendoi? Neve rroftë themi, nuk themi poshtë. Po tani poshtë e më poshtë të verë”, u shpreh nëna e numëruesit të “Bashkë Fitojmë” për mediat.

Kujtojmë se garën për Bashkinë Himarë e fitoi kandidati i koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë”, Fredi Beleri, i cili aktualisht është pas hekurave. Ai siguroi 3840 vota, ndërsa kundërshtari i tij politik nga kampi rozë, Jorgo Goro, siguroi 3821 vota. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2023/05/17/ikmt-ne-dhermi-rrethohet-hoteli-i-numeruesit-te-bf-banoret-e-nxoren-inatin-per-belerin/

A2 CNN Livestream

Latest Videos