
Pas kthimit në Kosovë, nisën ceremonitë mortore. Familjarët dhe miqtë i dhanë lamtumirën e fundit, Ahmet Hoxhës nga Randobrava e Prizrenit, njëri nga viktimat e aksidentit tragjik të së dielës në Kroaci.
55-vjeçari I ndjerë jetonte prej 10 vitesh në Gjermani, dhe po kthehej në Kosovë vetëm 10 ditë pas vizitës së fundit. I vëllai, Rafet Hoxha, I cili kishte një gëzim familjar, thotë mes lotësh se nuk e dinte që Ahmeti ishte nisur për në Kosovë.
“Unë nuk kam kaenë i informuar që vëllai po vjen prej Gjermanisë, pasi ka ndodhur aksidenti më ka tregu djali i vëllait që po vjen ai, kishim shpresë që nuk është aty, [...]Vëllain e kam përcjell për Gjermani para 10 ditëve, u kthye në kufomë”, rrëfen Rafet Hoxha, vëllai i të ndjerit.
Pikëllimi është tepër i madh edhe për të afërmit e tjerë dhe qytetarët e shumtë që morën pjesë në ceremoninë mortore.
“E kemi prit se nip e kemi, e kemi prit me u taku, por u takuam ndryshe”, thotë një i afërm i të ndjerit, Sabri Morinaj.
Mirë e njoh, vendas jam. Ka qenë djalë i mirë, i sinqertë, punëtor. Të gjithë jemi demoralizu, jemi shumë të prekur, shumë të lënduar. Por, çka të bësh, fati e ka dashtë ashtu”, thotë qytetari Elez Elezaj.
Lamtumira e fundit i është dhënë dhe Kujtim Kastratit, një tjetër viktimë e aksidentit të ndodhur në Kroaci. Vdekja e tij u përjetua rëndë nga familjarët në Malësi të Vogël të Rahovecit. Në aksidentin e së dielës në Kroaci humbën jetën 10 persona dhe u plagosën mbi 40 udhëtarë të tjerë.
Autobusi po udhëtonte nga Gjermania për në Kosovë dhe shkaku i aksidentit ishte përgjumja e shoferit. (A2 Televizion)