
Lazio ka fituar me rezultatin e ngushtë 1-0 ndeshjen e vështirë përballë Napolit në Olimpico të Romës dhe vijon me të njëjtin hap ecurinë e rezultateve pozitive me dy kryesueset e kampionatit.
Një ndeshje e vështirë dhe me shumë përballje në mesin e fushës ishte ajo e së shtunës për vendasit që në fund ja dolën të merrnin 3 pikë të rëndësishme. Takimi ishte një luftë e vërtetë sportive dhe u zgjidh vetëm në minutat e fundit të takimit falë një goli të Imobile.
Laciali arriti t’i vjedhë një top portieri Ospina, që u kthye pas nga mbrojtësi i Kombëtares Shqiptare, Hysaj dhe nga një kënd i vështirë arriti të shënojë falë dhe një devijimi të mbrojtjes.
Lazio renditet në vendin e tretë në kampionatin italian të futbollit, me 42 pikë të grumbulluara në 18 takime. (A2 Televizion)