
Reali dhe Atletico Madrid do të ndeshen në finalen e Superkupës së Spanjës, mbrëmjen e të dielës. Dueli në Arabinë Saudite bën që derbi i kryeqytetit spanjoll për një trofe në rang kombëtar, të luhet për herë të parë në histori jashtë Europës.
Në formatin e ri të turneut, Reali u kualifikua në finale pas fitores 3-1 ndaj Valencia, ndërsa Atletico fitoi me përmbysje 3-2 ndaj Barcelonës, sfidë që u shoqërua nga polemikat për gjykimin.
Finalja e kësaj të diele bën gjithashtu që dy skuadrat madrilene të përballen për herë të 11-të në fushë neutrale. Reali niset si skuadra favorite, pasi ekipi i Zidane nuk pëson humbje prej 19 tetorit të kaluar. Los Blancos kërkojnë triumfin e 11-të në Superkupën e Spanjës, trofe që për herë të fundit e kanë ngritur në vitin 2017. (A2 Televizion)