
Partia Demokratike vijon denoncimet për inceneratorin e Tiranës. Anëtari i Këshillit Kombëtar, Jamarbër Malltezi, deklaroi se pagesat për impiantin ende të pandërtuar vijojnë edhe për vitin 2023, ndërkohë që hetimet në SPAK ende nuk po prodhojnë rezultat.
“Pavarësisht krizës së thellë ekonomike e sociale, Inceneratori i Tiranës do të vijojë të marrë pagesa nga taksat e shqiptarëve edhe 34 milionë euro për periudhën 2023-2025. Flasim për një incenerator i cili nuk ekziston e nuk ka as THEMELE, për të cilin deri tani janë dhënë nga buxheti i shtetit gati 100 milionë euro”, tha Malltezi.
“Një vjedhje e pastër në sytë e të gjithë shqiptarëve, por edhe të SPAK, i cili ende ka frikë të reagojë. Rrjedhimisht lindin pyetjet:
A kishte ndonjë arsye pse Rama – Veliaj – Mërtiri - Zoto duhej të merrnin edhe landfillin e ndërtuar me para publike, edhe qindra miliona euro për incenerator fantazmë, edhe monopolin për dherat që është mall me vlerë, edhe monopolin për hedhjen e inerteve, edhe monopolin për mbetjet e riciklueshme duke falimentuar dhjetëra kompani e nxjerrë ne rruge qindra të punësuar?”. (A2 Televizion)