
Miratohet në Këshillin e Ministrave vendimi për indeksimin e çmimeve të barnave të rimbursueshme.
“Ky vendim na krijon mundësinë për të zgjeruar më shumë mbulimin me barna nëpërmjet skemës së rimbursimit të barnave për qytetarët, të cilët vuajnë nga sëmundje kronike, si dhe zgjerimin e diagnozave të mjekimit dhe rritjen e numrit të qytetarëve që përfitojnë nga skema e rimbursimit të barnave. Ky inveksim i çmimeve i siguron një benefit buxhetit të alokuar për barnat në listën e rimbursimit në vlerën rreth 3.6 milionë dollarë, të cilat do të shfrytëzohen sërish për të mbështetur më shumë persona me sëmundje kronike dhe për të zgjeruar alternativat e mjekimit për ta, por edhe për të mundësuar që barra e sëmundshmërisë, e ardhur edhe nga pandemia e Covid-19, të mundet të mbulohet plotësisht”, tha Manastirliu.
Gjatë komunikimit pas përfundimit të mbledhjes së qeverisë, Ministrja Manastirliu foli edhe për rimbursimin e fishave të diabetit për pensionistët. “Prej një muaji ka filluar edhe rimbursimi i fishave të diabetit, nga i cili përfitojnë një targetgrupi i të moshuarve +65 vjeç rreth 50 mijë të moshuar dhe prej fillimit të këtij programi janë përfitues mbi 35 mijë të moshuar, si dhe fëmijë dhe të rinj deri në moshën 25 vjeç që përfitojnë falas fishat e diabetit, duke e bërë më gjithëpërfshirëse skemën e rimbursimit, duke përfshirë dhe pajisjet mjekësore në të, siç janë fishat e diabetit dhe duke synuar një trajtim më të mirë të sëmundjeve kronike”, tha Manastirliu. (A2 Televizion)