Inter me sytë nga mrekullia në Champions, shanse reale për Atalanta-n

Nga A2 CNN
1 Dhjetor 2020, 12:08 | Futboll
Inter me sytë nga mrekullia në Champions, shanse reale për

Inter luan sot shanset e fundit të kualifikimit nga grupet e Champions League. Zikaltërve në fakt u duhet një mrekulli për vendin e dytë, teksa duhet të mundin në mbrëmje Gladbah dhe duhet të shpresojnë që në ndeshjen e fundit, fitorja e tyre hipotetike përballë Shakhtar Donjets të shoqërohet me një tjetër humbje nga Gladbah përballë Realit të Madridit.

Me këtë skenar, skuadra e Antiono Contes do të grumbullonte 8 pikë, po aq sa gjermanët, por do të arrinte të kualifikohej në saj të rezultateve më të mira në përballjet direkte.

Në kushte shumë më të favorshme ndodhet Reali i Madridit që edhe pse për momentin mban vendin e dytë, i ka të gjitha mundësitë për të fituar grupin. Madrilenët, në kuotën e 7 pikëve, do të përballen sot me Shakhtar Donjets e më pas do të ketë një finale për vendin e parë me Gladbah nëse renditja nuk ndryshon deri në raundin e fundit të grupeve.

Spektakli, ndërkohë, është i gjithi në sfidën mes Atletiko Madrid-it dhe Bajern Mynih dy skuadra që prej vitesh kanë lënë gjurmë në Champions Leauge e që sot vihen përballë njëra-tjetrës. Bayern kryeson me 12 pikë të plota përkundër 5 pikëve që ka grumbulluar skuadra spanjolle e cila kërcënohet seriozisht për vendin e dytë nga Lokomotiva e Moskës, me rusët që kanë vetëm 2 pikë më pak. Sfida e parë direkte mes Bayern dhe Atleticos përfundoi me fitoren bindëse 4-0 të gjermanëve. 

Atalantës nuk i lejohet të gabojë sot, nëse italianët duan që të parakalojnë Ajaksin dhe të jenë ata që kualifikohen. Italianët kërkojnë të përftojnë nga fakti që rivalët e tyre do të ndeshen me Liverpul, por, sot në Bergamo, fitorja është kusht për skuadrën ku aktivizohet edhe Berat Gjimshiti. Pas Liverpul me 9 pikë, Ajaks dhe Atalanta ndajnë nga 7 pikë. Nëse renditja nuk ndryshon, atëherë të dyja klubet do të përballen në një finale në ndeshjen e fundit në grupe, për të përcaktuar skuadrën që do të presë biletën e kalimit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos