
Interi kthehet në krye të kampionatit italian bashke me Juventusin, por është një rikthim i hidhur. Milanezët humbën mundësinë e tre pikëve të rëndësishme kundër Fiorentinës në transfertë, në minutat shtesë, pas një kundërsulmi të Vlahovic, gjuajtja e të cilit befasoi portierin Handanovic.
Interi po shijonte kryerjen e një “krimi perfekt”, fitoren me minimumin e golavarazhit, me golin e vetëm të realizuar në minutën e 8-të për më tepër nga një “ish” i Fiorentinës si Borja Valero.
Rastet nuk munguan nga të dy palët me portierët Dragowski dhe Handanovic protagonistë në të paktën 4 pritje.
Interi, që arriti të shënojë edhe një gol me Lautaro Martinez pas një kombinimi të bukur me Lukakun por të anuluar për pozicion jashtë loje nga VAR, dukej sikur po administronte mirë minutat e fundit, por pikërisht koha shtesë i la një shije të hidhur djemve të Antonio Conte.
Me këtë barazim, Inter ngjitet në kuotën e 39 pikëve bashkë me Juventusin që fitoi pasdite 3-1 kundër Udineses. (A2 Televizion)