
Interi i Conte-s luan mbrëmjen e sotme ndeshjen më të rëndësishme të këtij sezoni në Champions League, me shpresën e një kualifikimi të mundshëm, i cili është tejet i komplikuar pas rezultateve aspak të mira në grup.
Por, edhe pse ekipi italian është i karikuar në maksimum për ndeshjen e mbrëmjes ndaj Monchengladbach, tifozët gjermanë i bënë një surprizë aspak të këndshme.
Lojtarët zikaltër u zgjuan që në 04:00 të mëngjesit të së martës, pasi një grup tifozësh të Monchengladbach ndezën fishekzjarrë pranë hotelit ku po qëndronte skuadra e Interit.
Zikaltërve në fakt u duhet një mrekulli për vendin e dytë, teksa duhet të mundin në mbrëmje Monchengladbach dhe duhet të shpresojnë që në ndeshjen e fundit, fitorja e tyre hipotetike përballë Shakhtar Donetsk të shoqërohet me një tjetër humbje nga Monchengladbach përballë Realit të Madridit. (A2 Televizion)