
Kryeministri Edi Rama zhvilloi nga Nju Jorku, ku dje foli në Asamblenë e Kombeve të bashkuara, një intervistë kanalin francez TV5 Monde, ku foli për çështje të ndryshme, nga roli i Shqipërisë si anëtar i përkohshëm në Këshillin e Sigurisë, tek sfidat e vendit për anëtarësim në BE, dhe marrëdhëniet rajonale në Ballkan.
Rama e cilësoi si ngjarje historike vendin në Këshillin e Sigurisë duke shtuar se “jemi një vend i vogël, por kemi ide shumë të qarta, do të bëjmë gjithçka duhet, për të çuar përpara bashkë me të tjerët objektivat e Kombeve të Bashkuara dhe ecur drejt objektivave të përbashkët për një botë më të mbrojtur ndaj ndryshimeve klimatike, për një botë me më shumë barazi ndërmjet burrave dhe grave, për një botë më solidare, dhe sigurisht, për një botë të bashkuar kundër të keqes, kundër terrorizmit, dhe fondamentalizmave të të gjitha anëve”.
I pyetur për sfidat me të cilat ndeshen shqiptarët në vendin e tyre, i cilësuar nga emisioni francez si “një nga më të varfrit në Europë”, kryeministri u përgjigj duke saktësuar se ” nuk jemi ndër vendet më të varfra, jemi ndërmjet vendeve më pak të pasura, dhe këtu ka një ndryshim, sepse kur ju flisni për një varfëri, kjo u jep teleshikuesve tuaj idenë e një vendi të varfër në ndonjë kontinent të largët, ndërsa ne jemi ndër më pak të pasurit, por po ecim përpara. Jemi një vend evropian në mes të Europës, kemi probleme, përpiqemi t’i zgjidhim, bëjmë reforma, rruga është e gjatë sigurisht, por jemi në drejtimin e duhur, pa dyshim, përndryshe Këshilli Evropian nuk do ta kishte marrë unanimisht vendimin për të hapur negociatat e anëtarësimit për Shqipërinë”.
I pyetur për një frustrim të Tiranës zyrtare ndaj qëndrimit europian që po vonon fillimin e negociatave, Rama u përgjigj se “ është frustruese, sepse e kuptojmë që vetë Evropa është e frustruar nga problemet e saj të brendshme. Po ndodhin shumë gjëra në nivelin evropian, të cilat bëjnë që Bashkimi Evropian të mos arrijë të funksionojë në të gjitha frontet dhe as të menaxhojë nacionalizmat që po lulëzojnë në shumë vende. Në këtë pikë, jemi të qartë, ne duhet të bëjmë gjithçka duhet për t’u bërë një vend evropian, për t’u bërë një vend i BE, për t’u bërë një vend i shtetit të së drejtës, sepse e bëjmë këtë për fëmijët tanë. Nuk e bëjmë sepse është dikush në Bruksel, në Paris, apo në Berlin që na e kërkon dhe kjo është rruga e vetme, nuk ka alternativë tjetër. Ne jemi vërtet krenarë që të vazhdojmë në këtë udhë, ka pengesa por s’ke ç’i bën, ne vazhdojmë”. (A2 Televizion)