Hetimi i inceneratorëve, ish-ministri Lefter Koka kërkon lirinë në Gjykatën e Lartë

Nga A2 CNN
9 Mars 2022, 10:25 | Kronikë
Hetimi i inceneratorëve, ish-ministri Lefter Koka kërkon lirinë

Pas gati tre muajsh qëndrimi në qelitë e paraburgimit ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka e ka zhvendosur betejën e tij për liri në Gjykatën e Lartë. Përmes një rekursi të depozituar në këtë gjykatë, ish-ministri i prangosur për shkak të akuzave penale lidhur me prokurimin dhe ndërtimin e inceneratorit të Elbasanit, kundërshton masën e sigurisë “arrest në burg” caktuar ndaj tij nga Shkalla e Parë dhe Apeli i Posaçëm.

Në Gjykatën e Lartë Koka kërkon shfuqizim të kësaj mase dhe hetimin pa masë sigurie, ose caktimin e një mase më të butë se “arresti në burg”. Kërkesa është motivuar me qëndrimin mohues ndaj akuzave, me rrezikshmërinë e ulët shoqërore, me pamundësinë për të dëmtuar provat dhe as rrezik për t’iu fshehur hetimit.

Kërkesa e ish-ministrit pritet të shqyrtohet në ditët në vijim nga një Kolegj Penal që do të ketë për relator gjyqtarin Medi Bici.

Ish-ministri Koka u prangos në 14 dhjetor të vitit të kaluar me urdhër të SPAK, si i dyshuar për “shpërdorim të detyrës”, “korrupsion” dhe “pastrim të parave”. Sipas prokurorëve të posaçëm, në pozitat e ministrit ai ka kryer shkelje gjatë procedurës së koncesionare për inceneratorin e Elbasanit, nga mungesa e dokumentacionit, deri në zbatimin e një procedure që nuk parashikohej në ligj.

SPAK ka ngritur dyshime se Koka ka përfituar gati 3,7milionë euro ryshfet, për të favorizuar kompaninë “Alb Tech Energy”. Kjo pagesë dyshohet të jetë lëvruar për punime të pakryera nga kompani të treta, të kontrolluara prej ish-ministrit apo persona të afërt. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos