
Tre muaj pas izolimit dhe 33 mijë e 530 viktimave, në të gjithë Italinë rikthehet qarkullimi i lirë, pa kushte.
Një prej shteteve të prekura më rëndë nga pandemia hapi gjithashtu kufijtë për shtetasit e zonës Shengen dhe Britaninë e Madhe, të cilët do të mund të hyjnë në Itali pa detyrimin e karantinës, apo kufizime të tjera.
Megjithatë, rihapja e kufijve nuk nënkupton se virusi është mundur, e këtë e konfirmojnë si gjithmonë shifrat. Viktimat e raportuara në 24 orët e fundit ishin 55, më pak se çdo herë tjetër që prej shpërthimit të pandemisë, por numri i të prekurve u rrit sërish, me 318 raste të konfirmuara. Por siç u shpreh kryeministri Giusepe Conte, në muajin maj, ky është një risk që duhet ta merrnin përsipër.
“Përballemi me një risk të llogaritur, me vetëdijen se kurba e infektimeve mund të rritet sërish. Duhet ta pranojmë këtë, ose në të kundërtën nuk do të jemi në gjendje të rifillojmë kurrë”, u shpreh Giueseppe Conte.
Në rajonin e goditur më rëndë të Lombardisë, qytetarët nuk humbën kohë para se të shfrytëzonin lirinë e munguar duke iu drejtuar stacioneve të trenave për t’u rikthyer në shtëpitë e prindërve e për të takuar më në fund të afërmit për herë të parë pas tre muajve.
“Punoj këtu në Milano dhe deri më tani nuk lëvizja dot mes rajoneve. Por tani, puna nga shtëpia më jep mundësinë të kthehem në shtëpinë e prindërve na Kalabri e t’i përqafoj sërish pas tre muajsh. Jam shumë e lumtur”, tha një qytetare.
Disa guvernatorë rajonal janë skeptikë lidhur me lirinë e lëvizjes në Lombardi, me frikën se kjo do të çojë në një valë të re infektimeve në rajonet e tjera. Por, qeveria Conte po nxiton të rikthejë në këmbë industrinë jetësore të turizmit, e cila në vitin 2019 kontribuoi me 13.3 përqind të prodhimit të brendshëm bruto. (A2 Televizion)