
Japonia njoftoi se do të rinisë gjuetinë komerciale të balenave në muajin korrik, një lëvizje kjo që pritet të nxisë kritikat te forta ndërkombëtare.
Ajo tha se do të tërhiqet nga Komisioni Ndërkombëtar i Gjuetisë së Balenave, organizmi që merret me ruajtjen e kafshëve. Gjuetia komerciale e balenave u ndalua në vitin 1986 pasi speciet rrezikoheshin nga zhdukja. Por autoritetet japoneze thonë se ngrënia e mishit të balenës është pjesë e kulturës së vendit.
Për shumë vite Japonia ka gjuajtur balena për atë që e quante ‘kërkim shkencor’ e për shitjen e mishit, një program i kritikuar ashpër nga ambientalistët. Njoftimi i së mërkurës ishte i pritshëm por aktivistët paralajmërojnë se lëvizja do të ketë pasoja serioze.
Ai nënkupton se Japonia do të jetë e lirë të gjuajë speciet e rralla që mbrohen nga organizmi ndërkombëtar. Sipas njoftimit gjuetia komerciale do të kufizohet në ujërat territoriale dhe zonat ekonomike të Japonisë. Si rezultat veprimtaria nuk do të shtrihet në ujërat e Antarktidës dhe hemisferën jugore. (A2 Televizion)