Në javën e shtatë radhazi, “Jelekët e verdhë” zbritën sërish në rrugët e Parisit kundër qeverisë Macron, duke u përleshur me forcat e policisë që lëshuan gaz lotsjellës për të shpërndarë turmat.
Por mediat franceze shkruajnë se këtë të shtunë protestuesit ishin më të paktë në numër krahasuar me javët e kaluara dhe vetëm grupe të vogla kanë protestuar në Paris, por edhe në disa qytete të tjera.
Qindra protestues u mblodhën pranë zyrave të “France Televisions” dhe kanalit televiziv “BFM” duke brohoritur “Fake news” dhe thirrje për dorëheqjen e Emmanuel Macron.
Protesta degjeneroi më pas në përleshje me forcat e policisë, të cilat përdorën gaz lotsjellës për të shpërndarë turmat, ndërsa disa prej protestuesve u arrestuan. (A2 Televizion)