Java vendimtare, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria peng i njëra-tjetrës

Nga A2 CNN
20 Qershor 2021, 14:14 | Politikë
Java vendimtare, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria peng i

Java në vijim është vendimtare për fatin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në rrugëtimin drejt BE-së. Të dyja vendet shpresojnë që në agjendën e ngjeshur të Brukselit zyrtar, që do të mbledhë Këshillin e Ministrave, të shtohet dhe pika për miratimin e kuadrit negociues për to. 

Pavarësisht angazhimit diplomatik të dy kryeministrave Rama dhe Zaev në muajt e fundit, premisat duket të mos jenë pozitive.

Zaev u ndal më 17 qershor në Bullgari, shteti që me veton e tij mban të mbyllur portën e fundit për Shkupin. Takimet nuk sollën rezultat, pasi bullgarët nuk ndryshuan qëndrimin e tyre. 

E me një veto të Bullgarisë për Maqedoninë e Veriut, automatikisht bllokohet dhe Shqipëria, pasi drejtuesit europianë duken të vendosur të mos ndajnë këto dy vende në procesin e tyre, e këtë e theksoi dhe ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas, gjatë takimit në Bruksel me homologun Bujar Osmani. 
"Ky është një diskutim që e kemi bërë edhe më parë, por anasjelltas. Në të kaluarën këto vende nuk janë ndarë dhe ka qenë në rregull. Ne mbështesim presidencën portugeze që të gjejë sa më shpejt zgjidhje për çështjet dypalëshe, në mënyrë që të hapen sa më shpejt konferencat e anëtarësimit, si për Maqedoninë e Veriut, ashtu edhe për Shqipërinë. Nuk mendojmë t'i ndajmë nga njëra-tjetra", tha Mass.

Në pritjet e vazhdueshme, takimi i radhës mund të sjellë përgjigjen e duhur vetëm nëse Bullgaria të heqë veton dhe të abstenojë vendimin, ndryshe mundësia e radhës mbetet muaji tetor.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos