"Jemi kthyer 12 vite pas", Mustafa: Pasojat e sjelljes së Kurtit ndaj SHBA-së do t'i vuajë Kosova

Nga A2 CNN
31 Maj 2023, 13:44 | Kosova
"Jemi kthyer 12 vite pas", Mustafa: Pasojat e sjelljes së Kurtit

Kosova është kthyer 10-12 vite pas. Ky ishte komenti që bëri ish-kryeministri Isa Mustafa, në një lidhje direkte me “Ditarin” në A2 CNN.

Në reagimin e tij të parë pas tensionimit të situatës në Veri të Kosovës, këto ditët e fundit, Mustafa, theksoi se ata që po bëjnë trazirat në Veri nuk janë popullata serbe, por disa grupe ekstreme.

Teksa theksoi se bashkësia ndërkombëtare (SHBA-BE) duhej të ishte më aktive, Mustafa shtoi se pasojat e sjelljes së kryeministrit Albin Kurti, do t’i vuajë vendi për vitet në vijim.

Për Mustafën, marrëdhëniet me SHBA-në janë aktualisht më pikën më të ulët që nga çlirimi i vendit.

“Nuk kemi pasur kurrë qortime të tilla. Apo kundërshtime të tilla nga një qeveri e Kosovës ndaj kërkesave të SHBA-së. Kjo mund të na kushtojë shumë. Jo vetëm me masat që kanë nisur të merren. Qoftë për pjesëmarrjen e Kosovës në Defender 2023. Në asnjë rast nuk do të ishte e logjikshme që qeveria e Kosovës të shkojë kundër linjës së SHBA-së. Sepse nuk do të përfitojmë asgjë.”

I pyetur nëse mendon se do të ketë pasoja mbi vetë Kurtin, Mustafa theksoi se pasojat do të jenë vetëm për Kosovën, të cilës mund t’i mungojë edhe mbështetja në vijim.

“Nëse amerikanët tërhiqen, ose krijohet një vakum në angazhimin për Kosovën, nuk mund të tejkalohet shpejt. Problem për pozitën ndërkombëtare të Kosovës.”

Synimi i qeverisë së Kosovës, sipas tij, tashmë duhet të jetë që popullata serbe në Veri të njohë Kosovën dhe simbolet e saj.

Skenarët populistë, siç i cilësoi ai, të Albin Kurtit, nuk i sjellin asnjë dobi Kosovës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos