
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i pranishëm në forumin për Ballkanin Perëndimor që po mbahet në Bratislavë të Sllovakisë, ka mbrojtur punën e bërë deri më tani nga policia e Kosovës.
Teksa u përgjigjej pyetjeve të bëra rreth situatës së tensionuar në Veri të Kosovës dhe për mënyrat sesi këto tensione mund të zbuten, Kurti theksoi se njësitë speciale të Kosovës janë trajnuar nga forca demokratike perëndimore: SHBA dhe Bashkimi Europian.
“Policia jonë po bën një punë profesionale. Janë trajnuar nga perëndimi demokratik, SHBA,BE. Janë të orientuar nga Perëndimi. I njohin të drejtat e njeriut,” shtoi ai.
Albin Kurti theksoi po ashtu se për sa kohë jashtë ka turma që kërcënojnë të sulmojnë apo që bëjnë thirrje në mbështetje të liderëve si Vladimir Putin, komunat do të ruhen nga policia e Kosovës në numra të arsyeshëm.
Po ashtu, teksa fliste për serbët në Veri dhe faktin që ata përbëjnë 4% të popullsisë, Kurti shpjegoi se ata duan të jenë pjesë e Kosovës, por gjenden përballë kundërshtimit të Beogradit.
“Duan të jenë pjesë të Kosovës, por nuk e shprehin dot atë që duan sepse bullizohen nga Serbia.”
Ndërsa, sa i përket NATO-s, kryeministri i Kosovës theksoi se Aleanca është e pazëvendësueshme për sigurinë dhe mbrojtjen e vendit. Megjithatë, ai shtoi se jo gjithmonë bien dakord, duke shtuar se kjo jo domosdoshmërisht është një gjë e keqe. (A2 Televizion)