"Jo protestë në zonën e kuqe", Policia e Shtetit: Prioritet, liderët europianë

Nga A2 CNN
3 Dhjetor 2022, 15:30 | Politikë
"Jo protestë në zonën e kuqe", Policia e Shtetit:

Planin e masave për sigurinë e samitit të 6 dhjetorit, ku do të marrin pjesë liderët e BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor, Policia e Shtetit e ka konsultuar në bashkëpunim me autoritetet ndërkombëtare.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, edhe një herë e bëri të qartë se mbrojtja fizike e samitit do të jetë prioritet i forcave të sigurisë. Për të garantuar rendin dhe sigurinë, në rrugëkalimet e delegacioneve dhe në vendin ku do zhvillohet Samiti, Policia e Shtetit ka hartuar një plan të detajuar masash, duke bashkëpunuar me agjencitë ligjzbatuese brenda vendit, me ekspertë të sigurisë së vendeve të BE-së, si dhe me organizatat ndërkombëtare INTERPOL dhe EUROPOL, për shkëmbimin në kohë të informacioneve.

Policia e Shtetit nuk do të lejojë që opozita ta zhvillojë protestën e saj në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara Kryeministrisë, me argumentin se kjo godinë është brenda perimetrit të sigurisë. Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, tha: “Ne asnjëherë s’kemi qenë kundër protestave, gjithmonë e kemi garantuar të drejtën kushtetuese për të protestuar. Kësaj radhe thjesht ka një zonë të kuqe ku do të zhvillohet samiti dhe s’mund të protestohet. Jashtë kësaj zone ne do të marrim gjithë masat që edhe protesta të zhvillohet”.

Muhamet Rrumbullaku ia bëri të qartë opozitës se Policia e Shtetit se nëse nuk do të ketë reflektim për vendin e protestës, qytetarët do të hasin në bllokadën e Policisë së Shtetit: “Ne kemi besim se arsyeja do të fitojë mbi emocionet e kujtdo dhe jemi të përgatitur për çdo rast kur do të ndodhë e kundërta. Sipas planit të masave, në këtë zonë do të ndalohet tërësisht lëvizja e automjeteve, si edhe e qytetarëve që nuk janë rezidentë, përveç të punësuarve”.

Referuar masave, e bllokuar do të jetë Rruga e Elbasanit, nga kryqëzimi i “7 xhuxhave” në rreth-rrotullimin e Saukut, segmenti i Unazës së Vogël në të dy krahët nga “7 xhuxhat” deri tek kryqëzimi pranë parkut “Rinia”, si edhe bulevardi “Dëshmorët e Kombit” nga ura e Lanës, deri tek ish-Garda e Republikës. E bllokuar do të jetë edhe rruga nga ura e këmbësorëve mbi Lanë pranë Katedrales Katolike, deri tek stadiumi “Air Albania” dhe çdo aks që lidh këtë rrugë me Rrugën e Elbasanit dhe bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Për të krijuar një korridor sigurie për shoqërimin e delegacioneve nga Rinasi në Samit, do të jetë tërësisht i bllokuar aksi nga rrethrrotullimi i Saukut-Unaza e Re në drejtim të Pallatit me Shigjeta-ish-sheshi Shqiponja”-autostrada Tiranë-Durrës-Kthesa e Kasharit-Rinas. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2022/12/02/pallati-i-kongreseve-zbukurohet-para-samitit-te-be-se/
https://a2news.com/2022/12/02/samiti-i-be-se-ne-tirane-policia-publikon-listen-e-rrugeve-te-bllokuara/

A2 CNN Livestream

Latest Videos