
Ka qenë një fitore e mundimshme ajo e Juventusit në ndeshjen e radhës në kampionat ndaj ekipit të Genoa. Kampionët në fuqi kanë mundur të fitojnë vetëm në minutën e fundit shtesë këtë takim falë një 11 metërshi të dhënë nga kryesori.
Bardhezinjtë kaluan të parët në avantazh me një gol të Bonuccit në minutën e 36 të takimit, miqtë iu kundërpërgjigjën në minutën e 40 me Kuame. Në pjesën e dytë Genoa luajti me 10 lojtarë pas daljes me të kuqe të Cassata. Djemtë e Sarrit u hodhën në sulm për të rrëmbyer 3 pikët, por gabuan përpara portës dhe në disa raste ishin dhe të pafat. U desh një 11 metërsh në sekondat e fundit, i cili u shndërrua në gol nga Ronaldo, që vendasit të merrnin fitoren.
Në ndeshjen tjetër të kësaj mbrëmje Roma fitoi me rezultatin e pastër 0-4 në transfertë ndaj Udinezes. Verdhekuqtë duket se ndeshje pas ndeshje po gjejnë sigurinë dhe po kthejnë pikët e munguara në kampionat. Ekipi nga kryeqyteti luajti për më shumë se 50 minuta me 10 lojtarë pas një kartoni të kuq të paqenë që u akordua nga kryesori. (A2 Televizion)