
Nga titulli kampion te karriera e re si trajner. Muajt e fundit kanë qenë të vrullshëm për Renato Kalarin, të cilit si zgjidhje brenda shtëpisë i është besuar përkohësisht edhe stoli i Partizanit.
Dy ndeshje në drejtimin e shokëve, me të cilët vetëm gjashtë muaj më parë festoi kampionatin e parë në 26 vjet, me shpresën se do të nxjerrë skuadrën nga kriza.
“Duhet të jemi realist. Unë e kam mbështetjen e Presidentit, të cilin e falenderoj shumë, dhe të gjithë klubit, por Partizani ka nevojë për një trajner me eksperiencë, që njeh ambientin dhe me emër. Skuadra duhet të reagojë pas dy humbjeve radhazi”, tha Kalari.
Përballja me Teutën është shumë e rëndësishme sipas mesfushorit Bruno Telushi për të mos u shkëputur nga kreu: “Nuk duhet ta marrim si jetë a vdekje, por është një ndeshje e vështirë dhe do të mundohemi të japim maksimumin. Nëse e japim maksimumin, do ta kemi të lehtë sepse ne e dimë forcën tonë”.
Partizani udhëton drejt Durrësit për t’u përballur me Teutën këtë të mërkurë, në orën 16:00. (A2 Televizion)