Kallëzimi i parë në SPAK, kërkohet hetim për koncesionin e sterilizimit

Nga A2 CNN
23 Dhjetor 2019, 13:23 | Kronikë
Kallëzimi i parë në SPAK, kërkohet hetim për

Nisma Thurje dorëzon kallëzimin e parë pranë Prokurorisë së Posaçme, ku kërkohet hetimi i një kontrate koncensionare të nënshkruara në dhjetor 2015 nga shteti shqiptar, për sterilizimin e pajisjeve spitalore.

Nisma Thurje pretendon se përmes kësaj kontrate zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë kanë kryer vepra penale, si ajo e shpërdorimit të detyrës, shkeljes së barazisë në tenderë dhe korrupsioni.

Sipas saj, SPAK duhet të hetojë nëse ka pasur një studim të tregut nga ana e ministrisë së Shëndetësisë nëse ishte e nevojshme kjo kontratë, pasi në atë kohë të gjithë spitalet publike kanë pasur autoklave, pajisjet që bëjnë sterilizimin e mjeteve spitalore. Kallëzimi mbështetet edhe në një raport të Kontrollit të Lartë të Shtetit, sipas të cilit në kontratë janë vërejtur parregullsi.

“Kemi dyshime që kemi të bëjmë me kontratë korruptive. I mbetet prokurorisë që ta zbardhë, por nga ajo që ne shohim, kemi dyshime të logjikshme se ka diçka që nuk shkon në këtë kontratë”, tha mjeku Artan Koni, njëherësh edhe aktivist i Nismës Thurje.

“Ne i kërkojmë Prokurorisë të hetojë funksionarët që nga ish-ministri Beqaj dhe të gjithë zyrtarët e tjerë të përfshirë në këtë kontratë koncesionare, e cila në këndvështrimin tonë, ka dyshime të arsyeshme se ka dëmtuar buxhetin e shtetit”, tha Endri Shabani. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos