
Kandidati i grupit Alibeaj për Bashkinë e Tiranës, Roland Bejko, u shpreh teksa ishte i ftuar në Debat nga Alba Alishani në A2 CNN se gjatë fushatës do të nxjerrë aferat e përbashkëta Rama-Berisha-Meta.
“Fokusi ynë janë qytetarët, që janë në masën mbi 70% sipas sondazheve, që janë refuzues ndaj oligarkisë politike dhe financiare, e cila është e akuzuar me krimin e organizuar. Sipas agjencive ndërkombëtare, në Tiranë janë pastruar vitet e fundi rreth 1,6 miliardë euro. Kur them oligarkia politike, e kam fjalën për treshen Rama-Berisha-Meta, dy rivalët e mi janë çirakët e tyre. Ata janë aty për të përcjellë edhe shijet estetike të tyre.
Këta ditën zihen për parime dhe demokraci e antikorrupsion dhe natën njerëzit e tyre, familjarët e tyre, mblidhen dhe ndajnë ku do të investojnë paratë e fituara nga korrupsioni. Në fushatë, ne do t’i nxjerrim një për një, do të nxjerrim aferat e tyre të përbashkëta”, tha Bejko. (A2 Televizion)