Karantina për këdo që hyn nga Maqedonia e Veriut dhe Greqia, LSI padit Komitetin Teknik

Nga A2 CNN
20 Prill 2021, 12:00 | Politikë
Karantina për këdo që hyn nga Maqedonia e Veriut dhe Greqia, LSI

Lëvizja Socialiste për Integrim ka dorëzuar në Gjykatën Administrative të Tiranës një kërkesë për anulimin vendimit të Komitetit Teknik të Ekspertëve, për vendosjen e karantinës dy javore për shtetasit shqiptarë që vijnë nga Greqia dhe Maqedonia.

Për LSI-në, ky vendim është arbitrar, absurd dhe në shkelje të hapur me Kushtetutën.

Lëvizja Socialiste për Integrim e lidh vendimin e Komitetit Teknik me datën e zgjedhjeve dhe pohon se si subjekt elektoral, ajo ka interes ushtrimin e të drejtës së votës nga shtetasit shqiptarë që banojnë në Greqi e Maqedoni.

Sipas padisë, vendimi krijon një dëm të parikuperueshëm ndaj shtetit të së drejtës, si dhe u mohon qytetarëve të drejtën e votës. 

Komiteti i Ekspertëve, vendosi të aplikojë një karantinë 14-ditore për të gjithë ata qytetarë që duan të hyjnë në vendin tonë nga Greqia dhe Maqedonia e Veriut.

Masa e karantinës do të nisë nga sot dhe do të qëndrojë në fuqi deri më 3 maj. Sipas Mira Rakacollit, një masë e tillë merret pasi këto vende fqinje kanë ende shifra të larta ditore të infektimeve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos