
Edhe me temperaturat e larta të këtyre ditëve, nuk rresht aktiviteti i kalimit të paligjshëm të kufirit nga klandestinë të ardhur më së shumti nga Lindja e Mesme.
Në një operacion të koordinuar të forcave të policisë së Elbasanit dhe Korçës, janë arrestuar në flagrancë 5 shtetas shqiptarë, të cilët kundrejt pagesës po ndihmonin disa klandestinë në kalimin e kufirit.
Të arrestuarit janë ndaluar në aksin Librazhd-Elbasan, pikërisht në afërsi të fshatit Mengël, teksa nga Korça po transportonin 10 shtetas tëhuaj në drejtim të Tiranës.
Sipas autoriteteve, shqiptarët kërkonin për këtë shërbim të paligjshëm 200 euro për person.
Të arrestuarit janë shtetasit B.R., 28 vjeç, E.K., 27 vjeç, të dy banues në Devoll, dhe shtetasit J.D., 28 vjeç, M.Gj., 29 vjeç, dhe N.A., 23 vjeç, të tre banues në Durrës.
Të arrestuarve u sekuestruan 2 automjete, 5 aparate celular si dhe 1 dozë kokainë, ndërkohë që po punohet për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë në skemën ilegale. (A2 Televizion)