
Bledar Dervishaj, këshilltar i Presidentit për çështje ligjore, u shpreh në studion e Ditari në A2 se “në draftin paraprak, Komisioni i Venecias kishte arritur në konstatimin se kompetencat e Presidentit janë formale”, por pasi stafi i Presidentit i vuri në dukje këtij komisioni se sipas Gjykatës Kushtetuese roli i Kreut të Shtetit nuk është formal, raporti ndryshoi.
“Në draftin paraprak, Komisioni i Venecias kishte arritur në konstatimin se kompetencat e Presidentit janë formale. Ne nuk mund ta pranonim këtë fakt, pasi Gjykata Kushtetuese e ka thënë se roli i Kreut të Shtetit nuk është formal. Këtë ia vumë në dukje Komisionit të Venecias dhe raporti ndryshoi”, shpjegoi Dervishaj.
Më tej, këshilltari ligjor i Presidentit Ilir Meta shtoi se “Komisioni i Venecias nuk mund të pyetet a e shkeli Presidenti Kushtetutën apo jo”.
Sipas Dervishajt, “Presidenti nuk anuloi zgjedhje, por caktoi datë të re”.
“Presidenti bëri thirrje për dialog, nuk nënshkroi menjëherë vendimin. Forcat politike nuk patën vullnet për dialog. Presidenti nuk mohoi të drejtën e zgjedhësve për të zgjedhur, por u përpoq që të zgjidhnin të gjithë. Parimet kushtetuese që e udhëhoqën Presidentin në atë vendimmarrje ishin më të larta sesa rregullat dytësore të Kodit Zgjedhor dhe këtë nuk prisnim të na e thoshte Venecia”, theksoi Dervishaj. (A2 Televizion)