Negociatat nën hijen e vetos, ministrat e Jashtëm të BE mblidhen në Luksemburg

Nga A2 CNN
15 Tetor 2019, 09:19 | Politikë
Negociatat nën hijen e vetos, ministrat e Jashtëm të BE mblidhen

Është ende në pikëpyetje qëndrimi i Bashkimit Evropian lidhur me negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Në tre takime të ambasadorëve të BE nuk ndryshuan vetoja franceze, që para zgjerimit kërkon reformimin e Unionit. Edhe skepticizmi i Holandës dhe Danimarkës nuk ka ndryshuar, të cilat kërkojnë që Shqipëria të bëjë më shumë me reformat. 

Takimi i ministrave të Jashtëm në Luksemburg nuk duket se do të arrijë të qartësojë gjërat. Ministrja e Jashtme franceze thotë se nuk ka ardhur për veto, por për të diskutuar.

https://a2news.com/2019/10/15/vendimmarrja-nuk-ka-lidhje-me-ate-cfare-kemi-bere-ne-negociatat-rama-u-drejtohet-shqiptareve-me-videomesazh/

As Stef Blok i Holandës nuk foli për vendim, por shfaqi rezerva për dy vendet: “Mendojmë se çdo vend duhet gjykuar bazuar në merita. Shqipëria duhet të tregojë më shumë progres. Maqedonia e Veriut duhet të miratojë ligjin për Prokurorinë e pavarur”.

Presioni gjerman për hapje të negociatave vazhdon. Ministri gjerman për Evropën, Michael Roth, tha: “Qëndrimi i Gjermanisë është i qartë si kristali. Ne mbështesim hapjen e negociatave bazuar në votën e Bundestagut. BE duhet të marrë përgjegjësi për paqe e stabilitet në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe duhet të mbajmë premtimet”.

https://a2news.com/2019/10/15/qendrimi-pro-i-gjemanise-per-negociatat-balla-shqiperia-ka-treguar-perkushtim-te-forte-per-reforma-te-forta/

Finlanda, si kryesuesja e radhës e Bashkimit Evropian nuk do të paragjykojë vendimin që do të merret, duke theksuar përmes ministres së Jashtme se mbështet hapjen e negociatave: “Nuk dua të paragjykoj diskutimet sot. Kemi presidencën dhe mbështesim hapjen e negociatave, por duhet të shohim se çfarë vendosin vendet anëtare”.

Nëse ministrat e Jashtëm nuk dalin me një konkluzion të përbashkët, pritet që topi t'u kalojë shefave të tyre në takimin e krerëve të shteteve të Këshillit Europian, që do të mblidhen më 17-18 tetor në Bruksel.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos