
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ishte i pranishëm në ceremoninë e e 10 vjetorit të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim ku gjatë fjalimit të tij përshëndetës foli edhe njëherë për rrugën e vështirë që sipas tij ndodhet vendi.
“Sot kombi ynë ndodhet në udhëkryq. Ndërkohë që duam të afrohemi më shumë drejt miqve dhe partnerëve tanë në Bashkimin Europian dhe Shtetet e Bashkuara, ne na pret një punë kolosale, me reforma dhe ndryshime të mëdha përpara. Shqipëria është në krizë, dhe potenciali ynë i madh fatkeqësisht nuk po realizohet”, tha Basha.
Sipas kreut të PD, në këtë udhëkryq ku ndodhet vendit duhet të bëhet një zgjedhje mes zhvillimit dhe bërjes pas.
“Në këtë udhëkryq ku ndodhemi sot, ne na duhet të zgjedhim cilën rrugë do të marrim. Do të zgjedhim rrugën e lirisë, transparencës, llogaridhënies dhe zhvillimit? Apo do vazhdojmë të ngecim në rrugën e tanishme, me marshin në indietro”, shtoi Basha.
Në fund, lideri i demokratëve shtoi se për të dalë nga ky udhëkryq duhet dhe ndihma e ndërkombëtarëve.
“Na duhet të punojmë ngushtësisht me ju, me miqtë e partnerët tanë euro-atlantikë dhe të vëmë në jetë reforma dhe ndryshime të mëdha. Na duhet ta pastrojmë Shqipërinë”, deklaroi shefi i opozitës. (A2 Televizion)