
“Situata e fundit në Itali dhe Spanjë, ku rastet e pacientëve të rinj dhe vdekjet janë ulur në ditët e fundit na jep shpresë se çfarë do të ndodhë në të ardhmen në Shtetet e Bashkuara”, kështu deklaroi në një konferencë për shtyp këshilltarja e presidentit Trump për pandeminë e koronavirusit, Deborah Birx.
Ditën e diel, Nju Jorku që konsiderohet një nga “vatrat e kuqe” të pandemisë në SHBA, shënoi një ulje të viktimave dhe rasteve të reja me koronavirus.
“Shpresojmë se pas javës së ardhshme do të shohim një stabilizim të situatës në zonat metropolitane ku shpërtheu Covid-19 në javët e shkuara”, u shpreh doktoresha Birx.
Momentalisht Shtetet e Bashkuara konfirmojnë 337 mijë persona të infektuar dhe 9619 viktima nga virusi. Në Itali, të dielën u raportuan 525 viktima në 24 orë, niveli më i ulët i humbjeve të jetës që prej 19 marsit. Po ashtu ulje të numrit të viktimave nga koronavirusi u regjistruan dhe në Spanjë. (A2 Televizion)